Sasia prej 5562 kg pjeshkësh me prani të lartë nikeli refuzohet nga Kroacia, AKU nis hetimet
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se një sasi prej 5,562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria është refuzuar në kufi nga autoritetet kroate për shkak të pranisë së nikelit mbi normën e lejuar.
Njoftimi është bërë përmes Sistemit të Shpejtë të Njoftimit për Ushqimin dhe Foragjeret (RASFF) dhe ka hyrë në kategorinë “Refuzim në kufi”. Sipas autoriteteve kroate, analizat laboratorike kanë zbuluar tejkalim të lejuar të përmbajtjes së nikelit në produktin shqiptar.
Pas njoftimit të marrë autoritet përkatëse në vend kanë kryer inspektimet ku ka rezultuar se në magazina nuk ka pasur gjendje malli dhe se sasia e pjeshkëve nuk është tregtuar në tregun vendas. Sasia e konstatuar me prani të lartë niveli është asgjësuar nga Kroacia.
“Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier.
U krye inspektim në Operatorin e Biznesit Ushqimor eksportues (OBU), ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij. Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.
Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjësuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme.
AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.